Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndajë urgjentisht fonde për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia që goditi këtë komunë.
Haliti tha se dëmet në bujqësi dhe ekonomitë familjare janë të mëdha dhe tejkalojnë mundësitë financiare të komunës, duke theksuar se mbështetja e nivelit qendror është e domosdoshme.
Sipas raportimit të Demantim News, ai ka vizituar zonat më të prekura dhe është takuar me qytetarët, të cilëve u ka premtuar se do të angazhohet për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve.
Ndërkohë, Komuna e Vitisë ka formuar Komisionin për Vlerësimin e Dëmeve, i cili tashmë ka nisur punën në terren. Haliti u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë sa më parë dëmet e pësuara, në mënyrë që të përfshihen në procesin e vlerësimit.