Pas stuhisë së fuqishme që goditi disa komuna të Kosovës, drejtuesit lokalë kanë kërkuar mbështetje urgjente nga Qeveria, duke paralajmëruar për dëme të mëdha në infrastrukturë, arsim dhe bujqësi.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, tha se dëmet në komunë pritet të kalojnë 1 milion euro, ndërsa vetëm në shkolla vlerësohen rreth 300 mijë euro. Ai theksoi se komuna nuk ka fonde të mjaftueshme për sanimin e dëmeve dhe do të kërkojë ndihmë nga institucionet qendrore.
Sipas raportimit të Demantim News, edhe Komuna e Malishevës ka pësuar dëme të konsiderueshme. Kryetari Ekrem Kastrati bëri të ditur se stuhia ka dëmtuar shtatë shkolla, si dhe ura, rrjetin e kanalizimit dhe serrat e fermerëve.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, deklaroi se ndër komunat më të prekura nga stuhia janë Vitia, Mamusha, Istogu, Rahoveci dhe Suhareka, duke theksuar nevojën për reagim të shpejtë të institucioneve.
/Demantim News/