Katër persona janë arrestuar në një aksion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.
Sipas autoriteteve, në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Divizionit për të Huaj, një zyrtar i Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetas i huaj, të cilët dyshohet se kanë anashkaluar procedurat ligjore për përfitime financiare.
Pas operacionit ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili e ka përshëndetur aksionin, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin.
“Luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional mbeten parakushte thelbësore për ofrimin e shërbimeve të drejta dhe transparente për qytetarët. Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale”, ka deklaruar Sveçla.
Ai shtoi se çdo rast i dyshuar për korrupsion do të trajtohet me seriozitet dhe në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, raporton /Demantim News/.