Mungesa e anesteziologëve ka qenë prej vitesh një ndër sfidat kryesore të sistemit shëndetësor në Kosovë.
Së fundmi, QKUK-ja dhe spitalet rajonale janë përforcuar me 25 anesteziologë të rinj, të cilët pritet të ndikojnë në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimeve për pacientët.
Nga Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv kanë bërë të ditur se angazhimi i stafit të ri ka filluar të ulë ngarkesën e punës, edhe pse nevojat e sistemit shëndetësor ende mbeten më të mëdha.
Drejtori i kësaj klinike, Ismet Jusufi, ka thënë se pranimi i anesteziologëve të rinj ka sjellë përmirësime të para, duke lehtësuar presionin mbi stafin ekzistues që për vite ka punuar nën ngarkesë të lartë.
Shtimi i stafit pritet të mundësojë edhe organizimin më të mirë të punës, përfshirë shfrytëzimin e pushimeve vjetore për personelin që ka pasur vështirësi t’i marrë ato për shkak të mungesës së kuadrit.
Pas këtij përforcimi, numri i anesteziologëve në QKUK ka arritur në rreth 60, duke luajtur rol të rëndësishëm në ndërhyrjet kirurgjike, trajtimin intensiv dhe rastet urgjente, raporton /Demantim News/