Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka deklaruar se Lumir Abdixhiku duhet të vazhdojë të udhëheqë partinë deri në kuvendin e rregullt të saj.
Në një intervistë për “Debat Plus”, Ferati ka thënë se LDK-ja nuk duhet të lidhet me individë, përveç figurës historike të presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa ka vlerësuar kontributin e Abdixhikut gjatë viteve të fundit në drejtimin e partisë.
Sipas tij, puna e bërë nga Abdixhiku është arsye që ai të vazhdojë mandatin deri në mbajtjen e kuvendit të radhës.
Duke folur për kërkesën për kuvend të jashtëzakonshëm, Ferati ka bërë të ditur se procesi i verifikimit të nënshkrimeve ka përfunduar, por raporti zyrtar ende nuk i është dorëzuar kryetarit të partisë.
Ai ka sqaruar se kërkesa për kuvend të jashtëzakonshëm është iniciuar nga Armend Zemaj dhe Florian Dushi, me qëllim shqyrtimin e shkarkimit të kryetarit të LDK-së, raporton /Demantim News/.