Forcat izraelite e vazhduan ofensivën e tyre në Qytetin Gaza, përderisa shqyrtimi i planit të presidentit amerikan, Donald Trump, nga Hamasi hyri në ditën e tretë, tha një burim i afërt me grupin militant, përderisa grupet e tjera palestineze e refuzuan propozimin.
Trumpi të martën i dha Hamasit afat “tri ose katër ditë” për t’iu përgjigjur planit që ai e përvijoi këtë javë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e ka mbështetur propozimin për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare të Izraelit me grupin militant palestinez, raporton “Reuters”.
“Pranimi i planit është katastrofë, refuzimi i tij është një katastrofë tjetër, ka vetëm zgjedhje të hidhura këtu, por plani është plan i Netanyahut i artikuluar nga Trumpi” – tha një zyrtar palestinez, i afërt me diskutimet brenda Hamasit dhe të grupeve të tjera.
“Hamasi është i etur për t’u dhënë fund luftës dhe gjenocidit dhe do të përgjigjet në mënyrën që u shërben interesave më të larta të popullit palestinez” – shtoi ai, pa dhënë hollësi.
Ndërkohë, ushtria izraelite lëshoi urdhra të rinj që njerëzit të largoheshin drejt jugut të Gazës dhe tha se nuk do t’ua lejonte më kthimin në veri, përderisa Qyteti Gaza u ballafaqua me bombardime të rënda.
Aeroplanët dhe tanket izraelite goditën lagje banimi gjatë tërë natës, thanë banorët në Qytetin Gaza. Shërbimet shëndetësore lokale thanë se të paktën 17 njerëz në mbarë Gazën u vranë nga ushtria izraelite të mërkurën, shumica prej tyre në Qytetin Gaza.
Nga një sulm në pjesën e vjetër të qytetit në veriperëndim të Qytetit Gaza u vranë shtatë njerëz, ndërsa gjashtë të tjerë u vranë nga një sulm tjetër në një shkollë që po shërbente si strehimore, thanë mjekët.
Në një zhvillim të ri, ushtria izraelite tha se, duke filluar nga e mërkura, nuk do t’i lejojë më njerëzit që të shfrytëzojnë një rrugë bregdetare që të lëvizin nga jugu drejt komuniteteve në veri. Sidoqoftë, rruga do të mbetet e hapur për ata që ikin drejt jugut, thuhet në njoftim.
Hamasi ende nuk e ka komentuar publikisht planin e Trumpit, me të cilin kërkohet që grupi militant t’i lirojë pengjet e mbetura, t’i dorëzojë armët dhe të mos ketë rol në të ardhmen në qeverisjen e enklavës.