Drejtori i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti, ka bërë të ditur se procesi i shtrirjes së shërbimeve në katër komunat veriore po zhvillohet sipas planit, ndërsa interesimi për punësim në kompani ka qenë i lartë.
Në një intervistë për RTK-në, ai tha se për 115 vende pune janë pranuar mbi 900 aplikime, duke e cilësuar këtë si dëshmi të besimit të profesionistëve ndaj kompanisë. Sipas tij, KRU “Mitrovica” ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës, duke rritur pagat, shujtat dhe duke ofruar sigurim shëndetësor për punonjësit.
Siç raporton Demantim News, vendosja e ujëmatësve në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan tashmë ka nisur, ndërsa institucionet kanë pranuar faturat e para. Pas tyre, procesi do të vazhdojë me bizneset dhe më pas me amvisëritë në të katër komunat veriore.
Kurti bëri të ditur se, nëse gjithçka zhvillohet sipas planit, nga 1 gushti do të nisë vendosja e ujëmatësve nëpër amvisëri, ndërsa nga 1 tetori do të fillojë faturimi dhe arkëtimi i pagesave për bizneset dhe familjet në veri.
/Demantim News/