Prokuroria Themelore e Pejës ka mbyllur rastin e iniciuar pas ankesës së kryetarit të Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, i cili pretendonte se Elbert Krasniqi kishte ndikuar në vullnetin e votuesve gjatë zgjedhjeve parlamentare.
Sipas vendimit të Prokurorisë, nuk është gjetur asnjë dyshim i arsyeshëm se Krasniqi ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” apo ndonjë vepër tjetër që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Siç raporton Demantim News, pas analizimit të provave dhe dokumentacionit të rastit, Prokuroria ka konstatuar se nuk ekzistojnë prova direkte apo indirekte që dëshmojnë se Krasniqi ka keqpërdorur varësinë ekonomike apo profesionale të votuesve për të ndikuar në mënyrën e votimit.
Për pasojë, rasti është mbyllur, pasi nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale të pretenduar.
/Demantim News/