Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Behar Thaqi, ka deklaruar se reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe infrastrukturë, duke bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të ndihmojë fermerët.
Sipas tij, dëmet më të mëdha janë regjistruar në kulturat e specit, pjeprit dhe shalqirit. Vetëm erërat e forta të 27 korrikut kanë shkaktuar rreth 100 mijë euro dëme, ndërsa vërshimet e janarit kishin lënë pasoja në vlerë prej 167 mijë eurosh.
Siç raporton Demantim News, reshjet e së hënës kanë dëmtuar edhe infrastrukturën rrugore me mbi 50 mijë euro, ndërsa dëmet e reja në bujqësi kapin vlerën e mbi 100 mijë eurove, duke e çuar totalin e humbjeve në mbi 400 mijë euro.
Thaqi theksoi se komunat mund të bëjnë vetëm evidentimin e dëmeve, ndërsa kërkoi nga Qeveria që të ndërhyjë me mbështetje financiare për fermerët e prekur.
/Demantim News/