Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna ka dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes me BIRN-in, të drejtuar nga Jeta Xharra, për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel.
Sipas Ramës, vendimi është marrë pasi, sipas tij, nuk janë dhënë sqarime për çështjen që lidhet me faqen “Lule Gjeli”. Ai tha se deklaratat e deritanishme kanë ngritur edhe më shumë pikëpyetje dhe kërkoi transparencë të plotë.
Siç raporton Demantim News, Rama deklaroi se Kryeqyteti nuk mund të lejojë që hapësirat publike të përdoren nga organizata që, sipas tij, cenojnë interesin e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën për çështje me interes publik.
Ai shtoi se në ditët në vijim do të rishqyrtohen edhe marrëveshje të tjera për shfrytëzimin e hapësirave publike të ndara nga Komuna e Prishtinës.
/Demantim News/