Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar vërshime të mëdha në rajonin e Prizrenit, ku Rahoveci është komuna më e prekur. Uji ka mbuluar rrugë, parkingje dhe oborre shtëpish, ndërsa dëmet më të mëdha janë regjistruar në sektorin e bujqësisë.
Fermerë të shumtë raportojnë humbje të mëdha të kulturave bujqësore. Njëri prej tyre, Ilvi Jupa, tha se brenda pak minutash humbi të gjithë prodhimin e një viti në një sipërfaqe prej 45 ari të mbjellë me pjepër, duke kërkuar ndihmë nga institucionet.
Siç raporton Demantim News, drejtori i Bujqësisë në Rahovec, Behar Thaqi, deklaroi se zona e Eremnikut është pothuajse e gjitha nën ujë, me dëme në vreshta, pemëtore dhe kultura të ndryshme bujqësore.
Ndërkohë, drejtori për Emergjenca dhe Shpëtim, Irfan Berisha, bëri të ditur se ekipet komunale kanë qenë në terren që nga orët e para të mëngjesit, ndërsa komisionet përkatëse do të bëjnë vlerësimin zyrtar të dëmeve në ditët në vijim.
Në Prizren, situata u normalizua pas mesditës dhe nuk janë raportuar dëme të mëdha materiale apo viktima.
/Demantim News/