Zyrtari policor Astrit Hama ka dëshmuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin e sulmit në kanalin “Ibër-Lepenc”, duke treguar se si ishte arrestuar njëri nga të akuzuarit, Jovan Viçentijeviq.
Sipas dëshmisë, më 1 dhjetor 2024, gjatë patrullimit në zonën e Zubin Potokut, policia ndaloi një veturë me targa serbe. Njëri nga tre personat nuk kishte dokumente, ishte i veshur me uniformë dhe çizme ushtarake dhe u prezantua me emrin “Zoran”.
Pas shoqërimit në stacion policor, u konfirmua se personi ishte Jovan Viçentijeviq. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ai dyshohet se, bashkë me persona të tjerë, kishte vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv TNT në kanalin “Ibër-Lepenc” më 29 nëntor 2024.