Ministri i Deleguar i Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, ka riafirmuar mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të Kosovës, duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian.
Gjatë vizitës në Kosovë, Haddad njoftoi se janë nënshkruar pesë marrëveshje bashkëpunimi në fushat e drejtësisë, kulturës dhe arsimit, si dhe dy marrëveshje për mbështetjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, përfshirë një kredi prej 60 milionë eurosh për infrastrukturën sportive. Ai përmendi edhe një program zhvillimor prej 80 milionë eurosh për tranzicionin energjetik.
Haddad theksoi se rruga e Kosovës drejt BE-së bazohet në zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke shtuar se Franca do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në këtë proces.
Ai foli edhe për sigurinë në rajon, duke riafirmuar angazhimin francez në KFOR, si dhe vlerësoi se Kosova ofron potencial të madh për investime franceze në sektorët e sportit, teknologjisë, inteligjencës artificiale, energjisë, kulturës dhe arsimit.
/Demantim News/