July 30, 2026
1 min read

BE: Fati i personave të zhdukur është element kyç i dialogut

Bashkimi Evropian ka theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës mbetet një nga elementet më të rëndësishme të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.

Për Demantim News, një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se më 28 korrik ekspertët forenzikë të EULEX-it asistuan Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës në vlerësimin e një lokacioni në Zubin-Potok, me qëllim identifikimin e një varri të mundshëm të pashënuar.

Sipas Komisionit Evropian, EULEX-i nuk zhvillon hetime penale, pasi kjo përgjegjësi u takon autoriteteve të Kosovës.

BE rikujtoi se Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur, i krijuar në kuadër të dialogut dhe bazuar në Deklaratën për Personat e Zhdukur të vitit 2023, ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes dhe të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave që ende figurojnë të zhdukur.

Po ashtu, Bashkimi Evropian bëri të ditur se ka ofruar mbështetje financiare për Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës për të ndihmuar procesin e identifikimit të personave të zhdukur.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop