Policia e Kosovës ka hartuar planin operativ “Festivali Sunny Hill 2026”, duke paraparë masa të shtuara sigurie për mbarëvajtjen e festivalit, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Për Demantim News, Policia njoftoi se do të angazhojë një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, menaxhimin e trafikut, monitorimin e sigurisë dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj çdo shkelësi.
Po ashtu, është paralajmëruar se gjatë festivalit do të ketë bllokime të plota ose të pjesshme të rrugëve, si dhe ridrejtim të trafikut, për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe vizitorëve.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin transportin e organizuar drejt festivalit dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, në mënyrë që ngjarja të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe pa incidente.
/Demantim News/