Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktgjykimin ndaj Srdjan Lazoviqit dhe ka vendosur që çështja të rikthehet në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Për Demantim News, Apeli bëri të ditur se ka aprovuar ankesat e mbrojtjes dhe, sipas detyrës zyrtare, ka konstatuar shkelje esenciale të procedurës penale dhe mangësi në vlerësimin e provave.
Lazoviqi ishte dënuar nga Gjykata Themelore me 12 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile në bashkëkryerje.
Sipas Gjykatës së Apelit, shkalla e parë nuk ka arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme vlerësimin e provave materiale, përfshirë raportin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe raportet e ekspertëve ndërkombëtarë që lidhen me identifikimin e të akuzuarit, çka ka ndikuar në vendimin për kthimin e rastit në rigjykim.
/Demantim News/