Është përuruar rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, projekt që synon rritjen e sigurisë ujore dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike të Kosovës.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilët e cilësuan investimin si një hap të rëndësishëm për garantimin e furnizimit me ujë dhe funksionimin e sektorit energjetik.
Kurti tha se projekti përfaqëson një investim strategjik, duke theksuar se rehabilitimi dhe mbulimi i një pjese të kanalit është bërë edhe me kërkesë të banorëve, me qëllim rritjen e sigurisë në zonë.
Ai rikujtoi se kanali i Ibër-Lepencit, i ndërtuar në vitet e ’80-ta, është një nga asetet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit, pasi furnizon me ujë termocentralet që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë, shërben për ujitjen e tokave bujqësore dhe furnizon me ujë të pijshëm rreth 500 mijë qytetarë në nëntë komuna.
Sipas Kurtit, investimi prej 18 milionë eurosh përfshin rehabilitimin e 37 segmenteve përgjatë 49 kilometrave të kanalit, si dhe ndërtimin e një rezervuari kompensues me kapacitet prej 30 mijë metrash kub, i cili do të përdoret në raste emergjente për furnizimin me ujë të termocentraleve dhe ujësjellësve.
Ai shtoi se ky projekt dëshmon përkushtimin e institucioneve jo vetëm për reagim ndaj rreziqeve, por edhe për parandalimin e tyre dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve jetike.
Nga ana tjetër, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se projekti ka rëndësi të veçantë për sigurinë ujore të Kosovës, duke kujtuar sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit vitin e kaluar.
Ajo theksoi se ky rast e ka dëshmuar rëndësinë strategjike të kësaj infrastrukture, e cila siguron ujë për qindra mijëra banorë dhe për sektorë kyç të vendit.
Rizvanolli bëri të ditur se projekti ka sjellë tri përfitime kryesore: rehabilitimin e kanalit dhe rikthimin e kapacitetit të tij, përmirësimin e cilësisë së ujit, si dhe modernizimin e sistemit të monitorimit dhe menaxhimit të infrastrukturës.
Sipas saj, në kuadër të punimeve janë rehabilituar rreth 10 kilometra të kanalit, ndërsa segmentet e dëmtuara janë riparuar dhe përforcuar me beton të armuar për të garantuar funksionim më të sigurt dhe afatgjatë.