Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka shpallur “non grata” dy shtetas nga Maqedonia e Veriut, Valon Belja dhe Bekir Halimi, për veprimtari të dyshuara si të cenueshme ndaj sigurisë së shtetit shqiptar.
Pas këtij vendimi ka reaguar Bekir Halimi, i cili ka deklaruar se ende nuk e ka marrë konfirmimin zyrtar për masën e vendosur ndaj tij dhe se këtë informacion do ta verifikojë përmes Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Halimi ka bërë të ditur se është në pritje të marrjes së shtetësisë shqiptare, ndërsa deri në këtë moment mbetet subjekt i ligjeve të shtetit të tij.
“Dua të theksoj se këtë informacion nuk e kam të konfirmuar zyrtarisht dhe do ta verifikoj përmes Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se aktiviteti i tij i fundit në Shqipëri ka qenë një bashkëpunim me Qarkun e Shkodrës për një projekt promovues të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke pretenduar se kontributi i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij në këtë drejtim ka qenë arsye për pritjen e shtetësisë shqiptare.
Halimi ka mohuar të ketë qenë pjesë e ndonjë organizate apo strukture tjetër, duke thënë se angazhimi i tij kryesor ka qenë pjesëmarrja në luftërat e UÇK-së në Kosovë dhe Maqedoni gjatë viteve 1998–2001.
Ai ka deklaruar se është pjesë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut dhe se rolin e tij si hoxhë do të vazhdojë ta ushtrojë duke promovuar vlerat fetare dhe duke kundërshtuar, siç është shprehur ai, dukuritë negative në shoqëri.