August 4, 2026
1 min read

Po merr formë ura e tretë mbi Ibër, Kurti: Do të rrisë sigurinë dhe do të përmirësojë infrastrukturën në zonë

Punimet për ndërtimin e urës së tretë mbi lumin Ibër në Mitrovicë po vazhdojnë, ndërsa kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditura detajet e projektit gjatë vizitës në vendpunishte.

Kurti ka deklaruar se ura do të ketë gjatësi prej 65 metrash dhe gjerësi prej 22.5 metrash, duke u projektuar me katër korsi qarkullimi dhe trotuare në të dy anët.

Në kuadër të projektit është paraparë edhe ndërtimi i dy rreth-rrotullimeve, si dhe një segmenti rrugor prej 500 metrash me katër korsi dhe hapësira për këmbësorë. Po ashtu, do të rehabilitohet edhe shtrati i lumit Ibër në një gjatësi prej 525 metrash.

Sipas Kurtit, qëllimi i këtij investimi është rritja e sigurisë, mbrojtja e mjedisit dhe përmirësimi i infrastrukturës përreth urës.

Ai bëri të ditur se punimet po zhvillohen sipas planit dhe, nëse vazhdojnë me këtë ritëm, përfundimi i projektit pritet të bëhet deri në fund të vitit 2026.

“Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ndriçimit modern të urës, trotuareve dhe hapësirave përreth lumit, me qëllim krijimin e një infrastrukture më të sigurt dhe funksionale”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka vlerësuar se kjo urë do të ketë rëndësi për sigurinë, qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Sipas tij, projekti do të lehtësojë qasjen e institucioneve të sigurisë në të dy anët e lumit Ibër, ndërsa njëkohësisht pritet të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e bizneseve dhe investimeve në atë hapësirë.

Latest from Blog

Go toTop