Bashkimi Evropian ka përsëritur kërkesën për pezullimin e rrënimeve të objekteve pranë liqenit të Ujmanit, të cilat autoritetet e Kosovës i konsiderojnë të ndërtuara pa leje.
Zyrtarët e BE-së kanë shprehur shqetësim për këto veprime dhe kanë kërkuar nga institucionet kosovare që të ndalojnë rrënimet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga organet kompetente gjyqësore.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka deklaruar se çështjet pronësore të disa prej objekteve janë ende në shqyrtim nga gjykatat dhe se çdo veprim i pakthyeshëm duhet të shtyhet deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Sipas saj, institucionet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të gjetur zgjidhje të ligjshme dhe afatgjata.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që Bashkimi Evropian ka reaguar publikisht për këtë çështje. Edhe javën e kaluar, Zyra e BE-së në Prishtinë kërkoi ndalimin e rrënimeve, duke theksuar se disa banorë kanë nisur procedura gjyqësore kundër vendimeve për prishjen e objekteve.
Sipas BE-së, veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës janë zhvilluar në një kohë kur proceset gjyqësore për këto raste ende nuk kanë përfunduar.