August 4, 2026
1 min read

Dua Lipa shkëlqen në “Sunny Hill”, revista “Harper’s Bazaar” e cilëson ikonë të festivalit

Dua Lipa është rikthyer në skenën e “Sunny Hill Festival” në Prishtinë, duke marrë vëmendjen jo vetëm me performancën e saj, por edhe me paraqitjet e veçanta me stil.

Revista prestigjioze “Harper’s Bazaar” i ka kushtuar një artikull rikthimit të këngëtares në festivalin që ajo themeloi së bashku me familjen e saj, duke e përshkruar atë si “mbretëreshën e Sunny Hill Festival”.

Në shkrimin e saj, revista është ndalur te veshjet e guximshme të Dua Lipës gjatë netëve të festivalit. Në natën e parë, këngëtarja u pa mes publikut duke shijuar atmosferën dhe performancën e Katy Perry-t, e veshur me një fustan mini metalik të markës Rabanne, të krijuar me zinxhirë metalikë dhe detaje dekorative me motive lulesh 3D. Ajo e kompletoi dukjen me çizme të zeza prej lëkure.

Në natën pasuese, Dua zgjodhi një stil më bohem, me një kostum të bardhë me dantellë nga Chloe, i kombinuar me një rrip të gjerë të zi dhe çizmet e saj karakteristike. Më vonë gjatë mbrëmjes, ajo shtoi një xhaketë të kuqe sportive dhe festoi së bashku me familjen e saj.

“Sunny Hill Festival” u themelua në vitin 2018 nga Dua Lipa dhe prindërit e saj, të cilët kishin jetuar në Londër pasi ishin larguar nga Kosova në vitet ’90, ndërsa më pas u rikthyen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Dua Lipa, e lindur në Mbretërinë e Bashkuar, një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Prishtinë. Vitin e kaluar ajo mori shtetësinë e Kosovës dhe këtë moment e festoi duke u ngjitur në skenën e “Sunny Hill Festival”.

Në atë kohë, ajo kishte ndarë një mesazh emocionues për publikun, duke thënë se ishte një ndjenjë e veçantë të performonte në qytetin që e ka formuar dhe mes njerëzve të saj.

Latest from Blog

Go toTop