Është përmbyllur projekti i rehabilitimit të kanalit Ibër-Lepenc, një investim prej 18 milionë eurosh që synon rritjen e sigurisë së furnizimit me ujë, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përmirësimin e menaxhimit të këtij sistemi të rëndësishëm për Kosovën.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilët vlerësuan rëndësinë e projektit për sektorin e ujit, energjisë dhe ekonomisë së vendit.
Në kuadër të këtij investimi janë rehabilituar 10 kilometra të kanalit, përfshirë 37 segmente të rëndësishme përgjatë gjithë sistemit. Punimet kanë ndikuar në rikthimin e kapacitetit të rrjedhjes, përmirësimin e cilësisë së ujit dhe uljen e turbullirës.
Kanali Ibër-Lepenc, me gjatësi rreth 49 kilometra nga Zubin-Potoku deri në Prishtinë, konsiderohet një nga infrastrukturat më të rëndësishme të Kosovës. Ai siguron ujë për impiantet që furnizojnë mbi 500 mijë qytetarë në nëntë komuna, furnizon termocentralet dhe industrinë, si dhe mbështet sektorin e bujqësisë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ky projekt ka rëndësi përtej një infrastrukture ujore, pasi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë energjetike, furnizimin me ujë dhe zhvillimin ekonomik.
“Ky investim dëshmon se vendi nuk po fokusohet vetëm në reagimin ndaj rreziqeve, por në krijimin e kapaciteteve që parandalojnë problemet dhe sigurojnë vazhdimësi të shërbimeve jetike”, ka deklaruar Kurti.
Një pjesë e rëndësishme e projektit ka qenë edhe mbulimi i një segmenti prej 400 metrash të kanalit në Zubin-Potok, investim i realizuar me rreth 1.1 milion euro nga fondet e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.
Sipas institucioneve, kjo ndërhyrje është bërë në bashkëpunim me komunitetin lokal dhe përveç rritjes së sigurisë së kanalit, hapësira mbi këtë segment do të shërbejë edhe si zonë publike për banorët.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se projekti ka sjellë tri përmirësime kryesore: rehabilitimin e kanalit, përmirësimin e cilësisë së ujit dhe modernizimin e sistemit të monitorimit.
Ajo ka bërë të ditur se pas rehabilitimit, turbullira e ujit pritet të reduktohet deri në 50 për qind, duke mundësuar trajtim më efikas të ujit para se ai të arrijë te konsumatorët.
Punimet kanë përfshirë edhe përforcimin e segmenteve të dëmtuara me beton të armuar, sanimin e pjesëve me rrjedhje dhe rritjen e kapacitetit të rrjedhjes në zonat problematike. Gjithashtu, sistemi i ri i monitorimit SCADA dhe telemetria do të mundësojnë kontroll automatik të rrjedhës, nivelit dhe cilësisë së ujit gjatë gjithë kohës.
Pas përurimit në Zubin-Potok, Kurti dhe Rizvanolli kanë vizituar edhe rezervuarin balancues në Mihaliq të Vushtrrisë, i cili ka kapacitet prej 30 mijë metrash kub dhe është pjesë e rëndësishme e këtij projekti.
Ky rezervuar, me vlerë rreth 2.1 milionë euro, do të mundësojë furnizim emergjent për termocentralet e KEK-ut dhe fabrikën e ujit në Shkabaj, duke lejuar ndërhyrje dhe mirëmbajtje në sistem pa ndërprerje të shërbimeve për qytetarët.
Projekti është financuar përmes një kredie prej 15 milionë eurosh nga Banka Botërore dhe 3 milionë eurove nga fondet vetanake të Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”.
Institucionet kanë vlerësuar se masat e realizuara do ta bëjnë sistemin më rezistent ndaj dëmtimeve dhe situatave emergjente, duke zvogëluar ndikimin e mundshëm në furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë dhe ekonominë e vendit.