Tre turistë gjermanë janë shpëtuar pas një operacioni kërkim-shpëtimi që zgjati rreth katër orë në zonën e Malit të Çikës, brenda Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Ndërhyrja u realizua edhe nga ajri, ku një helikopter bëri të mundur nxjerrjen e turistëve që kishin mbetur të izoluar mes shkëmbinjve në një terren të vështirë.
Pasi u lokalizuan, ata u transportuan me helikopter drejt Qendrës Shëndetësore në Palasë, ku morën ndihmën e nevojshme mjekësore.
Turistët kishin aktivizuar sinjalin SOS pasi humbën orientimin dhe nuk arritën të largoheshin nga zona ku kishin mbetur të bllokuar. Fatmirësisht, operacioni përfundoi pa pasoja për jetën e tyre.
Sipas të dhënave, ky është rasti i pestë brenda dy muajve të fundit kur turistë të huaj humbin rrugën, mbesin të bllokuar ose lëndohen gjatë eksplorimit të kësaj zone malore.