August 4, 2026
1 min read

Kurti pas takimit me LDK-në: Nuk ka marrëveshje politike, por bisedimet do të vazhdojnë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka rezultuar me një marrëveshje politike mes dy palëve.

Kurti tha se gjatë bisedimeve janë shqyrtuar mundësitë për tejkalimin e situatës aktuale dhe krijimin e një marrëveshjeje që, sipas tij, duhet të respektojë rezultatin e zgjedhjeve dhe ta kthejë atë në stabilitet institucional.

“Ende nuk kemi një marrëveshje politike. Kemi diskutuar për qasje të ndryshme dhe mundësitë që janë para nesh. Nevojitet një marrëveshje që e respekton rezultatin zgjedhor dhe e shndërron atë në funksionim demokratik dhe stabilitet për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ai theksoi se askush nuk dëshiron mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por paralajmëroi se ato mund të bëhen të pashmangshme nëse nuk gjendet një zgjidhje mes palëve.

“Askush nuk i dëshiron zgjedhjet e reja, por në mungesë të një marrëveshjeje dhe të hapave përpara, ato mund të ndodhin. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi maksimalisht përmes komunikimit dhe takimeve”, u shpreh Kurti.

Latest from Blog

Go toTop