Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij nuk është e interesuar për pozitën e kryetarit të Kuvendit, por kërkon që në një marrëveshje eventuale të ketë përfaqësim të drejtë institucional.
Abdixhiku tha se LDK-ja ka hyrë në diskutime me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve dhe me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.
Ai theksoi se një marrëveshje mes palëve duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të sigurojë një balancë demokratike brenda institucioneve të vendit.
“Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku të ketë balancë demokratike në institucionet e Republikës dhe në këtë kuadër LDK duhet të ndihet e përfaqësuar. Në të kundërtën, kontributi i LDK-së dhe konfigurimi politik nuk do të kenë fuqinë e nevojshme”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit nuk janë diskutuar emra konkretë, por vetëm parimet mbi të cilat mund të ndërtohet një marrëveshje.
“LDK nuk ka interes për postin e kryetarit të Kuvendit, është një pozitë ceremoniale. Sa më shpejt të gjendet një zgjidhje, aq më mirë për vendin”, u shpreh ai.
Abdixhiku shtoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 6 gusht, atëherë sipas tij duhet të vazhdohet me procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ai paralajmëroi se mungesa e një zgjidhjeje politike mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tij, LDK-ja dëshiron t’i shmangë.