Gërmimet në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet për një varrezë masive, kanë hyrë në ditën e nëntë të punimeve. Ndërkohë, Prokuroria Speciale ende nuk ka bërë të ditur se kur pritet të fillojnë verifikimet në lokacionin e tretë të identifikuar për dyshime të ngjashme.
Hetimet në këtë zonë kanë vazhduar pas gjetjes së provave fillestare, ku u zbuluan pjesë veshjesh dhe mbetje kockore që më pas u konfirmuan si mbetje njerëzore.
Lokacioni në Kalludër të Vogël është hetuar për më shumë se një vit nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, nën dyshimet se aty mund të jenë ekzekutuar dhe varrosur 23 persona të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Pas sigurimit të zonës dhe përfshirjes së ekspertëve të Mjekësisë Ligjore dhe EULEX-it, nisën punimet në terren. Pas disa orësh pa informacione, ekspertët konfirmuan se mbetjet e gjetura paraqesin interes hetimor dhe dyshohet se lidhen me periudhën e luftës së fundit.
Gjatë ditëve në vijim, hetimet u zgjeruan edhe në zonën e Jabukës, disa kilometra larg Kalludrës, ku u ngritën dyshime për një tjetër lokacion të mundshëm të varrezës masive. Në këtë zonë u gjetën katër mbetje mortore dhe një batanije, të cilat janë dërguar për analiza, ndërsa punimet përfunduan brenda një dite.
Përveç këtyre dy lokacioneve, autoritetet po hetojnë edhe një zonë tjetër ndërmjet Kalludrës së Vogël dhe Jabukës, por aty ende nuk kanë nisur gërmimet pasi procesi i hetimit është në vazhdim.
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar në lidhje me rastin në Kalludër dhe ka kryer bastisje në disa lokacione në Zubin Potok, ku janë sekuestruar prova.
Gjatë punimeve në Kalludër, përveç mbetjeve mortore, dyshohet se janë gjetur edhe gëzhoja plumbash, të cilat do të analizohen në kuadër të hetimeve.