Policia ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar një raportim për një rast të kanosjes me armë zjarri në Brezovicë, pranë qendrës së skijimit.
Sipas hetimeve fillestare, tre persona që po lëviznin me kuaj në një shteg të ngushtë malor janë përballur me një 65-vjeçar, i cili dyshohet se kishte lënë kalin e tij në rrugë dhe nuk kishte pranuar ta largonte për t’u mundësuar kalimin.
Pas një mosmarrëveshjeje verbale, i dyshuari, i identifikuar me inicialet N.H., dyshohet se ka nxjerrë një pistoletë dhe ka kanosur tre personat, duke i shoqëruar veprimet edhe me fjalë fyese.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vazhdim.