August 5, 2026
1 min read

Vulaj zbulon temat e diskutimit në Departamentin e Shtetit: Nga raportet me Kosovën te Dialogu Strategjik dhe Haga

Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, Martin Vulaj, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim në Departamentin e Shtetit me Andrew Caruso, zyrtar përgjegjës për çështjet që lidhen me Kosovën, si dhe me Sierra Bandad, e cila së fundmi ka marrë përgjegjësinë për zyrën që mbulon Shqipërinë.

Pas takimit, Vulaj tha se diskutimet u përqendruan në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, duke theksuar se, pavarësisht mospajtimeve për disa veprime të Qeverisë së Kosovës, Uashingtoni vazhdon ta konsiderojë Kosovën një partner të rëndësishëm dhe mbetet i përkushtuar për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Një nga temat kryesore ishte Dialogu Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, i cili vazhdon të mbetet i pezulluar. Sipas Vulajt, zyrtarët amerikanë nuk kanë paraqitur kushte të veçanta për rifillimin e tij, por kanë theksuar nevojën për përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe angazhim konstruktiv nga Prishtina.

Ai bëri të ditur gjithashtu se pezullimi i dialogut ka ndikuar negativisht në disa iniciativa ekonomike, megjithëse bashkëpunimi në sektorët e mbrojtjes dhe inteligjencës vazhdon.

Në takim u diskutua edhe vizita e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, në Uashington. Sipas Vulajt, vizita u vlerësua pozitivisht, ndërsa ai ngriti çështjen e mungesës së një takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke e cilësuar këtë si një mundësi të humbur dhe duke shprehur shpresën që një takim i tillë të realizohet në të ardhmen.

Temë e diskutimit ishte edhe procesi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Vulaj tha se Departamenti i Shtetit nuk planifikon të lëshojë deklaratë publike për vendimin e pritshëm dhe pret që procedurat gjyqësore të vazhdojnë edhe pas shpalljes së vendimit, për shkak të rasteve që lidhen me manipulimin e dëshmitarëve.

Sipas tij, gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të tjera, përfshirë energjinë, gazin natyror, procesin e formimit të institucioneve në Kosovë dhe zhvillimet politike në rajon.

Latest from Blog

Go toTop