Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Edhe pse nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re, pasi do të vazhdojë të drejtojë Komunën e Gjakovës, Gjini ka thënë se Aleanca do të ketë rol të rëndësishëm në këtë mandat.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se pozita e deputetit përbën një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve që kanë dhënë besimin e tyre, duke shprehur bindjen se përfaqësuesit e Aleancës do ta mbrojnë interesin publik.
“Jam plotësisht i bindur se ekipi i Aleancës do të jetë zëri më i fuqishëm i arsyes, zhvillimit dhe stabilitetit në këtë legjislaturë”, ka shkruar Gjini.
Ai ka bërë të ditur se qëndrimi i Aleancës për zhvillimet politike mbetet i qartë dhe transparent, ndërsa u ka uruar sukses të gjithë deputetëve në fillimin e mandatit të ri.