August 6, 2026
1 min read

Kurti: Zgjedhjet erdhën pas moszgjedhjes së presidentit, Kosovës i duhet stabilitet politik

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike kanë rifilluar këtë javë, pas një ndërprerjeje të shkaktuar nga zhvillimet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kurti ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje synon të zhvillojë diskutime edhe me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën, me qëllim arritjen e një dakordimi sa më të gjerë politik.

“Bisedimet ishin pezulluar për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK, ndërsa rifillimi ndodhi këtë javë. Duam të bisedojmë edhe me PDK-në dhe AAK-në”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se ato u shkaktuan pas dështimit për zgjedhjen e presidentit në muajin prill.

“Zgjedhjet e 7 qershorit erdhën sepse në prill nuk u zgjodh presidenti. Duam të ecim përpara së bashku, por na nevojitet një dakordim sa më i gjerë, ashtu siç kërkohet edhe nga kushtetuta”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të përfundojë me sukses, pasi një tjetër dështim do ta çonte vendin drejt një situate të re politike.

“Konstituimi kësaj radhe nuk duhet të na çojë sërish drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar Kurti.

Latest from Blog

Go toTop