Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar pas dështimit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë situatë si të dëmshme për funksionimin e institucioneve.
Tahiri ka thënë se afatet kushtetuese tashmë kanë kaluar dhe se qytetarët presin që Kuvendi të funksionalizohet, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni.
Ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mungesë të konsultimeve me partitë politike, duke theksuar se diskutimet për zgjidhjen e ngërçit është dashur të zhvillohen më herët.
“Kanë kaluar më shumë se 30 ditë kohë për të diskutuar me partitë. Nëse synimi ka qenë krijimi i një stabiliteti për dy vitet e ardhshme, pse nuk është diskutuar edhe çështja e presidentit? Nyja kryesore është pikërisht te presidenti”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, zvarritja e procesit mund të sjellë pasoja të reja institucionale dhe mundësi për përplasje kushtetuese.
“A po synohet krijimi i një rasti tjetër në Gjykatën Kushtetuese? Kjo është papërgjegjësi nga Vetëvendosje”, ka thënë ai.
Tahiri ka akuzuar VV-në se po përdor vonesat në proces për qëllime politike dhe për të siguruar kontroll mbi institucionet kryesore të vendit.