August 6, 2026
1 min read

PDK: Moskonstituimi i Kuvendit, vazhdim i bllokadës institucionale nga Kurti

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për zvarritje të formimit të institucioneve të reja.

Në reagimin e saj, PDK ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit është vazhdim i bllokadës institucionale dhe se bie ndesh me detyrimet që dalin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas kësaj partie, nuk kishte arsye që të mos propozohej kandidati për kryetar të Kuvendit dhe të vazhdohej me procesin e votimit për konstituimin e tij.

PDK ka vlerësuar se vonesat nuk kanë ardhur si pasojë e mungesës së votave, por si rezultat i një vendimi politik nga Vetëvendosje dhe Albin Kurti.

“Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë t’i mbajë peng institucionet e Republikës për interesa partiake”, ka deklaruar PDK.

Partia opozitare i ka bërë thirrje Vetëvendosjes dhe Kurtit që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mundësojnë sa më shpejt konstituimin e Kuvendit.

Sipas PDK-së, Kosovës i nevojiten institucione funksionale dhe stabilitet politik.

Latest from Blog

Go toTop