Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë u ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në një përgjigje për media, ambasada ka theksuar se qytetarët presin nga përfaqësuesit e tyre të veprojnë në interes të vendit dhe të përmbushin përgjegjësitë kushtetuese.
Sipas Ambasadës së SHBA-së, zvarritja e krijimit të institucioneve po i kushton Kosovës mundësi të rëndësishme dhe ka ardhur koha që prioritet të jenë progresi dhe stabiliteti.
Ky reagim vjen në kohën kur ende nuk është përmbyllur procesi i konstituimit të Kuvendit, ndërsa afati kushtetues për këtë çështje po i afrohet fundit.