August 6, 2026
1 min read

20 persona akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Gjakovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 20 personave, me propozim që gjykimi të zhvillohet në mungesë, për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” gjatë luftës në Kosovë.

Për Demantim News, sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se gjatë viteve 1998–1999, në kuadër të një operacioni të organizuar ushtarako-policor në Komunën e Gjakovës, kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve shqiptarë.

Sipas Prokurorisë, operacioni është udhëhequr nga struktura të ish-Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP), njësitë e Policisë së Posaçme (PJP) dhe Brigada e 52-të e Artilerisë Raketore, ndërsa të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në role të ndryshme komanduese dhe ekzekutuese.

Aktakuza përshkruan se gjatë operacionit, gratë dhe fëmijët janë ndarë nga burrat, ndërsa grave u janë marrë stolitë, paratë dhe sendet me vlerë. Burrat, sipas Prokurorisë, janë ekzekutuar në shtëpitë dhe oborret e tyre, si dhe në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”, ndërsa shumë shtëpi janë djegur.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop