August 6, 2026
1 min read

KDI: Dialogu politik nuk duhet të pengojë konstituimin e Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim për moskonstituimin e Kuvendit në seancën e sotme, duke kërkuar që procesi të përfundojë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Për Demantim News, KDI vlerëson se mospropozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje ka pamundësuar vazhdimin e procedurës, por thekson se ndërprerja e seancës në këtë fazë nuk përbën shkelje procedurale, pasi afati kushtetues ende nuk ka përfunduar.

Instituti rikujton se seanca konstituive duhet të përmbyllet më së largu deri nesër, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

KDI ka mirëpritur dialogun politik ndërmjet partive, por ka theksuar se konsultimet nuk mund të pezullojnë detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Sipas tij, dialogu politik dhe respektimi i afateve kushtetuese duhet të zhvillohen paralelisht.

Në fund, KDI i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë pa vonesë kandidatin për kryetar të Kuvendit, ndërsa deputetëve u ka kërkuar të marrin pjesë në procesin e votimit për funksionalizimin e institucioneve.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop