Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur thirrjen për një dakordim sa më të gjerë politik për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, duke theksuar se vendi nuk ka nevojë për një krizë të re institucionale.
Për Demantim News, Kurti rikujtoi fjalimin e mbajtur në seancën konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit, ku falënderoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për takimet e zhvilluara në funksion të arritjes së një marrëveshjeje politike.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për një president unifikues, me mbështetje sa më të gjerë politike, në përputhje me frymën kushtetuese.
Kurti paralajmëroi se konstituimi i Kuvendit nuk duhet të përfundojë me një tjetër shpërndarje të legjislativit dhe zgjedhje të parakohshme, të cilat, sipas tij, do të ishin të panevojshme për qytetarët dhe të dëmshme për ekonominë e vendit.
/Demantim News/