August 7, 2026
1 min read

Meta gjobitet me 567 milionë dollarë për dështime në mbrojtjen e fëmijëve

Meta është gjobitur me 567 milionë dollarë për dështimin në paralajmërimin e publikut lidhur me rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët.

Ky është vendimi më i madh i marrë ndaj kompanisë për çështjet që lidhen me sigurinë e të miturve. Gjyqtari Bryan Biedscheid e cilësoi Metën si një “shqetësim publik”, duke vlerësuar se platformat e saj kanë shkaktuar dëme psikologjike dhe kanë ekspozuar fëmijët ndaj rreziqeve të ndryshme, përfshirë shfrytëzimin seksual.

Me këtë vendim, shuma totale që Meta duhet të paguajë në këtë çështje arrin në 942 milionë dollarë, pasi më herët ishte dënuar edhe me një gjobë prej 375 milionë dollarësh.

Fondet e përfituara nga gjoba do të përdoren për masa që synojnë uljen e dëmeve të shkaktuara nga platformat e kompanisë.

Çështja nisi në vitin 2023, kur autoritetet e New Mexicos ngritën padi ndaj Metës, duke pretenduar se algoritmet e Instagramit dhe Facebook-ut i orientonin përdoruesit e rinj drejt përmbajtjeve të dëmshme.

Gjykata urdhëroi gjithashtu zbatimin e masave të reja për mbrojtjen e të miturve, duke përfshirë kufizimin e kontakteve mes të rriturve dhe fëmijëve, ndalimin e shfaqjes së përmbajtjeve intime për përdoruesit nën moshën 18 vjeç, si dhe vendosjen e kufizimeve të tjera në përdorimin e platformave.

Meta, kompania që zotëron Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Threads, ka kundërshtuar vendimin dhe ka njoftuar se do ta apelojë atë.

Ndërkohë, kompania po përballet edhe me mijëra padi të ngjashme në Shtetet e Bashkuara, ndërsa procese të tjera gjyqësore pritet të zhvillohen edhe në juridiksione të tjera.

Latest from Blog

Go toTop