Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku ka bërë të ditur se PDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.
Hamza ka refuzuar një takim me Kurtin, duke e arsyetuar këtë me dallimet programore dhe konceptuale mes dy subjekteve politike.
Në letër, ai ka theksuar se PDK do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në Kuvendin e Kosovës, duke kontribuar në forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
Kreu i PDK-së i ka kërkuar Kurtit që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.
Hamza ka deklaruar se partia e tij do të vazhdojë të japë kontributin e saj në funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.