Një 25-vjeçar shqiptar është ndaluar në aeroportin e Memmingenit në Gjermani dhe është përjashtuar nga hyrja në vend, pasi autoritetet dyshuan se kishte udhëtuar për të punuar, edhe pse kishte deklaruar se po shkonte për turizëm.
I riu kishte mbërritur nga Tirana dhe gjatë kontrollit kufitar kishte paraqitur edhe një biletë kthimi si dëshmi për qëllimin turistik.
Por dyshimet e autoriteteve u shtuan kur në bagazhin e tij të dorës u gjetën pajisje pune.
Kontrollet e mëtejshme zbuluan se bileta e kthimit ishte anuluar para se 25-vjeçari të mbërrinte në Memmingen.
Për shkak të këtyre rrethanave, autoritetet gjermane vlerësuan se deklarata për turizëm nuk përputhej me qëllimin e vërtetë të udhëtimit.
Si pasojë, atij i është ndaluar hyrja dhe qëndrimi në të gjithë Zonën Schengen për dy vite.