Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga seanca e fundit konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të thirret vazhdimi i saj.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili në seancën e fundit kishte kërkuar kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike, nuk dha një datë për vazhdimin e seancës. Ai përsëriti thirrjen drejtuar partive të tjera për dialog.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duan zgjedhje, duan zgjidhje. E zgjidhja është marrëveshja politike”, deklaroi Kurti.
Nga Vetëvendosje kanë thënë se përgjegjësia për thirrjen e vazhdimit të seancës i takon kryesuesit, Avni Dehari. Ky i fundit nuk ka treguar se kur do ta thërrasë seancën, por ka deklaruar se pa marrëveshje politike vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje.
Ndërkohë, Glauk Konjufca ka deklaruar se, sipas vlerësimit të tij, vonesat nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Qëndrim të kundërt kanë shprehur përfaqësues të opozitës. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka akuzuar pushtetin për arrogancë dhe për shkelje të Kushtetutës.
Seanca e fundit u ndërpre pas kërkesës së Kurtit për kohë shtesë për negociata politike, ndërsa situata në Kuvend u tensionua edhe pas incidentit ku deputetja Time Kadrijaj e gjuajti Kurtin me vezë.
Deri më tani nuk është njoftuar një datë e re për vazhdimin e seancës konstituive.
/Demantim News/