Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i është përgjigjur ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, pas debatit për lumin Ibër dhe deklaratave për “Shqipërinë e Madhe”.
Rama ka thënë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se nuk i duhet një “Shqipëri e Madhe” për të mbështetur Kosovën.
Ai ka deklaruar hapur se “Serbia e humbi Kosovën”, duke theksuar se Kosova është shtet më vete dhe se shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë ta përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre.
Sa i përket Ibrit, Rama ka theksuar se ai është sistem ujor ndërkufitar dhe se çdo ndërhyrje që mund të prekë Kosovën duhet të trajtohet sipas të drejtës ndërkombëtare.
“Lumenjtë kanë vesin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo deklaratat diplomatike”, ka shkruar Rama.
Ai ka kërkuar gjithashtu mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, por ka kundërshtuar që kjo çështje të përdoret për të vënë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës.
Në fund, Rama ka theksuar se Shqipëria kërkon marrëdhënie të mira me Serbinë dhe një Ballkan brenda Evropës, por jo duke u kthyer te pretendimet territoriale dhe versionet e vjetra të historisë.