August 12, 2026
1 min read

Çitaku: Kuvendi duhet të konstituohet, demokracia po mbahet pezull

Sekretarja e PDK-së dhe deputetja Vlora Çitaku ka deklaruar se prania e deputetëve në sallën e Kuvendit nuk duhet të konsiderohet si ndonjë aksion politik.

Ajo ka thënë se deputetët janë në vendin e tyre të punës dhe se, sipas Kushtetutës, ligjeve dhe rregullores së Kuvendit, duhet të paraqiten çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit të konstituimit të institucionit.

Çitaku ka theksuar se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nuk ka rol për të zhvilluar negociata apo për të arritur marrëveshje politike, por detyrë të tij e sheh thirrjen e seancës për zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit.

Sipas saj, situata aktuale ka sjellë, siç u shpreh ajo, pezullim të Kushtetutës, ligjit dhe demokracisë.

Çitaku e ka cilësuar gjendjen në vend si krizë politike dhe morale, duke ia atribuar këtë, sipas saj, mungesës së gatishmërisë së Lëvizjes Vetëvendosje për ta konstituuar Kuvendin dhe për t’i hapur rrugë funksionimit të institucioneve.

Latest from Blog

Go toTop