Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj veprimeve të deputetëve të PDK-së, të cilët kanë hyrë në sallën plenare dhe kanë zënë vendet e tyre.
Në sallë kanë qenë edhe deputetë të LVV-së, ndërsa aty ndodheshin edhe mërgimtarë kosovarë që po vizitonin Kuvendin.
Haxhiu ka kritikuar opozitën, duke pretenduar se veprimet e saj po pengojnë aktivitetet e parapara për mërgatën.
“Duke vlerësuar se opozita e lejon mërgatën të vizitojë Kuvendin. Por siç po e shihni, opozita i proteston edhe mërgatës. Por, kur s’ka kauzë, vazhdojnë me veprime të tilla që janë të pajustifikueshme. Më vjen shumë keq, sepse këto ditë Kuvendi i ka hapur dyert për mërgimtarët, por opozita ka vendosur t’i pengojë aktivitetet e Kuvendit”.
Ajo ka thënë se duhet të arrihet një marrëveshje politike për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të zgjidhur çështjen e presidentit.
“Kryetari Kurti, kryeministri i vendit, në vazhdimësi ka bërë ftesa për opozitën. Kërkesat e LDK-së janë në shpërputhje duke insistuar që Kuvendi(?!) të jetë nga radhët e tyre. Seancë do të ketë, por paraprakisht duhet marrëveshje. Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje, por të përpiqemi maksimalisht për një marrëveshje që e zgjedh presidentin në një mandat 5-vjeçar”.
Haxhiu ka përmendur edhe veprimet opozitare të së kaluarës, duke thënë se protestat e tyre kanë qenë kundër marrëveshjeve që i kanë konsideruar të dëmshme për vendin.
“Unë jam një nga personat që kam bërë aktivitete opozitare, e dini shumë mirë, por gjithmonë kemi protestuar kundër marrëveshjeve të dëmshme për vendin: kundër gjykatës speciale, kundër ‘zajednicës’, kundër amnistimit të kriminelëve serbë, kundër demarkacionit me Malin e Zi, dhe ne s’kemi protestuar kurrë kundër mërgatës asnjëherë, as kundër rinisë, por janë qytetarët ata që i vlerësojnë veprimet e secilit prej deputetëve”.
Më tej, ajo ka vënë në pikëpyetje ndryshimin e qëndrimit të opozitës lidhur me thirrjen e seancës.
“Njëherë thanë e keni tejkaluar afatin, mos thirrni seancë. Tash po thonë thirrni seancë. Unë s’po i kuptoj”, u shpreh më tej U.D. e presidentes.
Ndërkohë, gjatë deklarimit të Haxhiut për mediat, deputetët e PDK-së kanë vazhduar të kërkojnë me zë të lartë: “Thirreni seancën”.