Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj kritikave të PDK-së lidhur me stafin e Kuvendit, duke kërkuar që zyrtarët profesionalë të mos bëhen pjesë e përplasjeve politike.
Haxhiu ka kundërshtuar pretendimet se stafi i Kuvendit po vepron në favor të partisë në pushtet, duke theksuar se zyrtarët duhet të vlerësohen për punën institucionale që kryejnë dhe jo të përballen me akuza për motive politike.
Ajo ka kërkuar që çdo pakënaqësi ndaj punës së saj të drejtohet drejtpërdrejt tek ajo ose të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë.
“Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, shkroi Haxhiu.
Ajo ka dënuar publikisht, siç e cilëson, presionin dhe insinuatat ndaj stafit të Kuvendit, duke kërkuar që pretendimet konkrete të shoqërohen me fakte dhe të adresohen në rrugë institucionale.
“Stafi i kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë.”