Një konflikt i nisur pas një fyerjeje mes të miturve ka përshkallëzuar në një përleshje ku janë përfshirë 10 persona në Tiranë.
Policia ka identifikuar të gjithë personat e përfshirë. Katër prej tyre janë arrestuar, katër po procedohen në gjendje të lirë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Katër të arrestuarit, të moshave 24 deri në 34 vjeç, dyshohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë përkrahjen e autorit, moskallëzimin e krimit, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, si dhe prodhimin, mbajtjen apo blerjen pa leje të armëve të ftohta.
Ndërkohë, dy persona 32-vjeçarë janë shpallur në kërkim. Njëri dyshohet për “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, si dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa tjetri për moskallëzim dhe përkrahje të autorit të krimit.
Gjatë kontrolleve në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar një thikë dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në hetim.
Sipas hetimeve, gjithçka dyshohet se nisi kur njëri prej personave të arrestuar ka fyer një të mitur. Më pas, 17-vjeçari bashkë me shokët e tij është përplasur fizikisht me dy vëllezër dhe personat që ndodheshin me ta.
Por konflikti nuk përfundoi aty. Pas përleshjes, 17-vjeçari dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së dy vëllezërve.
Në atë moment, njëri prej vëllezërve, i cili tashmë është shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk është lënduar asnjë person.
Policia po vazhdon kërkimet për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij konflikti.