Instagram ka prezantuar një identitet të ri vizual, duke ndryshuar për herë të parë pas rreth një dekade stilin e emrit të platformës.
Drejtori i Instagram-it, Adam Mosseri, ka bërë të ditur se “wordmark”-u i ri është dizajnuar për të qenë më i pastër dhe modern, duke ruajtur njëkohësisht thjeshtësinë karakteristike të platformës. Ikona shumëngjyrëshe e kamerës mbetet e pandryshuar.
Megjithatë, dizajni i ri ka nxitur menjëherë reagime dhe kritika nga përdoruesit.
Vëmendjen më të madhe e kanë marrë disa prej shkronjave të stilizuara, të cilat sipas komentuesve e bëjnë emrin të duket sikur shkruan “Instagzam”, “Instagwam” apo “Instaguam”.
Kritikat nuk janë kufizuar vetëm te pamja. Disa përdorues kanë ngritur shqetësime edhe për lexueshmërinë dhe aksesueshmërinë e logos së re.
Të tjerë e kanë shfrytëzuar njoftimin për t’i kërkuar Instagram-it që të fokusohet në probleme të tjera të platformës, përfshirë përmbajtjet e gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, profilet false dhe mbylljen e llogarive pa sqarime të mjaftueshme.
/Demantim News/