Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për kontrabandim me migrantë.
Sipas aktakuzës, S.D. dyshohet si kryerës i veprës penale, ndërsa B.D. dhe A.F. akuzohen si bashkëkryerës.
Rasti dyshohet se ka ndodhur më 23 shtator 2025, pranë vendkalimit kufitar të Vërmicës, në afërsi të urës së fshatit Shkozë. Sipas Prokurorisë, S.D. kishte organizuar transportimin e 10 migrantëve nga Egjipti, të cilët dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, S.D. kishte marrë me qira një automjet dhe ua kishte dorëzuar B.D. dhe A.F., me qëllim që migrantët të transportoheshin nga zona e Vërmicës drejt kufirit Kosovë–Serbi.
Rreth orës 01:50, dy të dyshuarit e tjerë kishin ndaluar në shiritin emergjent të autostradës, pranë urës së Shkozës, ku po prisnin migrantët.
Në momentin kur policia ka arritur në vendin e ngjarjes, pranë automjetit janë gjetur 10 persona, të cilët dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe po prisnin të transportoheshin më tej.
Prokuroria thotë se migrantët kishin paguar gjithsej 25 mijë euro për udhëtimin nga vendi i origjinës deri në Serbi.
Ndërhyrja e policisë ka ndërprerë veprimet e dyshuara. B.D. dhe A.F. janë ndaluar, ndërsa S.D. dyshohet se është larguar nga vendi pasi kishte vërejtur policinë.
Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.