Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen ndaj liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për krijimin e institucioneve të reja dhe tejkalimin e ngërçit institucional, duke kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka deklaruar se liderët politikë duhet të angazhohen së bashku për zgjidhjen e situatës së krijuar.
“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, është shprehur zëdhënësi.
Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që SHBA-ja përcjell një mesazh të tillë. Më 12 gusht, edhe Ambasada amerikane në Prishtinë u kishte bërë thirrje partive politike që të bashkëpunojnë për tejkalimin e krizës institucionale.
Thirrja e fundit nga Uashingtoni vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht. Deputetët dhanë betimin, por procesi u bllokua para zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për konsultime me subjektet politike, duke argumentuar se ende nuk kishte marrëveshje për formimin e institucioneve. Punimet u ndërprenë dhe vazhdimi u caktua për 8 gusht.
As në seancën e 8 gushtit nuk u paraqit kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi sërish kohë për konsultime, ndërsa gjatë seancës deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas incidentit, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu punimet.
Që nga ajo ditë, procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar. Dehari ka thënë se seanca e ardhshme do të thirret pasi partitë të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e krizës, duke vlerësuar se pa një dakordim politik, vazhdimi i saj do të ishte vetëm formal.
Përpjekjet për zhbllokimin e situatës
Në kërkim të një zgjidhjeje, më 18 gusht Albin Kurti u takua me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Një prej temave kryesore të diskutimit ishte edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Pas takimit, të dy palët deklaruan se ekziston vullneti për të gjetur një zgjidhje, ndërsa u dakorduan që në takimin e ardhshëm të shqyrtojnë edhe kandidatura konkrete për president.
Në anën tjetër, PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar që seanca konstituive të vazhdojë pa pritur arritjen e një marrëveshjeje politike.
Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy subjekteve u mblodhën në sallën e Kuvendit dhe kërkuan nga Avni Dehari që të caktojë vazhdimin e seancës. Gjatë përplasjes pati edhe tensione verbale dhe fizike me deputetë të LVV-së.
BE-ja paralajmëron për pasoja financiare
Edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të krizës institucionale, duke paralajmëruar se zvarritja politike dhe vonesat në zbatimin e reformave mund të ndikojnë në përfitimin e Kosovës nga mbështetja evropiane.
Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë ndarë 882.6 milionë euro në formë grantesh dhe kredish të favorshme deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, disbursimi i këtyre mjeteve është i kushtëzuar me zbatimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.
Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues për Kosovën. Për 13 prej tyre, me vlerë të përbashkët prej 90.8 milionë eurosh, afati i parë ishte 30 qershori 2026. Ndërsa 27 hapa të tjerë, në vlerë prej 165.9 milionë eurosh, duhet të përmbushen deri në fund të dhjetorit.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se kriza e zgjatur politike po pengon zbatimin e reformave në Kosovë dhe po e vështirëson qasjen në financime të jashtme.
Ndërsa partitë politike vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një marrëveshje, institucionet e reja të Kosovës vazhdojnë të mbeten të pakonstituuara.