Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj deklarimeve dhe interpretimeve lidhur me kontratën e lidhur me JSC ESM për shitjen e qymyrit, duke theksuar se dokumenti nuk përmban asnjë marrëveshje për koncesion të minierave apo resurseve të Korporatës.
Sipas KEK-ut, qëndrimi zyrtar i institucionit bazohet drejtpërdrejt në përmbajtjen e kontratës së nënshkruar ndërmjet palëve, ndërsa Korporata nuk mban përgjegjësi për formulimet apo interpretimet e bëra nga palë të tjera.
KEK sqaron se në kontratë nuk ekziston asnjë dispozitë që parasheh koncesion mbi qymyrin, minierat, asetet apo resurset e saj. Sipas Korporatës, objekti i marrëveshjes është i përcaktuar qartë: shitja e qymyrit.
Kontrata dhe dokumentacioni i tenderit janë publike në platformën E-Prokurimi të KRPP-së dhe, sipas KEK-ut, mund të verifikohen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe palët e interesuara.
Korporata ka rikujtuar edhe të dhënat kryesore të marrëveshjes: 24.4 euro për ton pa TVSH, kohëzgjatje prej 36 muajsh dhe vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro. Shitja parashihet të bëhet drejtpërdrejt te përdoruesi përfundimtar, pa ndërmjetësues.
Sipas KEK-ut, Korporata nuk është përgjegjëse për eskavimin, transportin apo proceset logjistike të tërheqjes së qymyrit. Kjo, sipas saj, e ndan realizimin e kontratës nga operacionet e përditshme minerare dhe nuk cenon furnizimin e termocentraleve me qymyr apo prodhimin vendor të energjisë elektrike.
KEK thekson se furnizimi i termocentraleve vazhdon të mbetet prioriteti kryesor i Korporatës.
Për këtë arsye, KEK e cilëson si të pabazuar paraqitjen e marrëveshjes si “koncesion”, duke kërkuar që diskutimet publike të bazohen në dokumentet zyrtare dhe jo në interpretime të shkëputura apo deklarime të pakonfirmuara.
Korporata ka theksuar se dokumentet janë publike dhe se përmbajtja e kontratës mund të verifikohet nga kushdo.
“Në kontratë nuk ka koncesion”, është përfundimi i KEK-ut.