Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur të zgjasë afatin për aplikim në Provimin e Maturës Shtetërore, me qëllim që të gjithë nxënësit që plotësojnë kushtet të kenë mundësi të marrin pjesë në proces.
Sipas njoftimit të ministrisë, aplikimi do të jetë i hapur deri të hënën, më 24 gusht 2026, në orën 11:00.
Aprovimi i aplikimeve të bëra gjatë këtij afati do të realizohet po atë ditë, deri në orën 12:00.
Rreth 1 mijë nxënës ende nuk kanë aplikuar
Deri më tani, për Provimin e Maturës Shtetërore janë regjistruar 4,650 nxënës.
Megjithatë, duke u bazuar në rezultatet e afatit të qershorit, MASh ka vlerësuar se rreth 1,000 nxënës që kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit ende nuk kanë bërë aplikimin.
Ministria ka theksuar se zgjatja e afatit është bërë për t’u mundësuar të gjithë kandidatëve potencialë që të përfshihen në proces dhe të mos mbeten jashtë provimit për shkak të mosaplikimit brenda afatit fillestar.